Investitorët institucionalë karakterizohen nga mënyra e formimit të fondeve financiare dhe mënyra e investimit të tyre. Ndryshe nga institucionet depozituese, investitorët institucionalë i krijojnë potencialet e tyre financiare nëpërmjet formave jodepozitare, në bazë të shitjës së kontratave të sigurimit të individëve dhe bizneseve, përmes sigurimit pensional të të punësuarve në shoqëritë e mëdha dhe shitjes së aksioneve qytetarëve. Investimin e fondeve të tyre financiare investitorët institucionalë e bëjnë në formë të investimeve në letra me vlerë, duke krijuar kështu portofolin e tyre optimal në kuptimin e të ardhurave të pritura dhe të shkallës optimale të likuiditetit të segmentit të caktuar të portofolit. Investitorët institucionalë dallohen për nga ajo se si i krijojnë potencialet e tyre financiare (shoqëritë e sigurimit, fondet pensionale dhe fondet e përbashkëta). Karakteristikë e tyre e përbashkët është se potencialet e tyre financiare, të krijuara në bazë të burimeve afatgjata, i investojnë në formë të blerjes së letrave me vlerë në tregjet e kapitalit. Ata blejnë aksione dhe obligacione të shoqërive dhe obligacione të qeverisë. Në bazë të këtyre letrave me vlerë, investitorët institucionalë krijojnë portofol sipas strukturës së dëshiruar. Si kritere të përgjithshme për krijimin e portofolit me strukturë të caktuar, merren norma e pritur e rendimenteve nga obligacionet afatgjata, lartësia e pritur e dividendës në aksione, por edhe shkalla më e lartë e likuiditetit të një pjese të letrave me vlerë, kryesisht me afate të shkurtëra, me qëllim të ruajtjes së likuidititetit të institucionit.